Në emisionin “Ora e pasdites” në Klan Kosova, të ftuar ishin Blenda Asllani nga organizata “Qika”, Vebi Mujku, ekspert i politikave sociale, dhe sociologu Jeton Brajshori.
Të ftuarit në bashkëbisedim me moderatoren Njomza Aliu- Kajtazi diskutuan rreth vrasjes së Liridona Ademajt.
Sociologu Brajshori tha se vrasja e Liridonës, që dyshohet të jetë orkestruar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ka qenë e planifikuar për një vit.
“Kemi menduar t’ia gjejmë profilin vrasësit çfarë vrasësi mund të jetë, a mund të jetë me probleme mendore, a mund të jetë vrasës i cili që ka qenë i abuzuar si fëmijë apo vrasës që ka qenë i bullizuar në shkollë, por mbrëmë e kuptova që vrasësi e ka planifikuar vrasjen që një vit. Zakonisht kur ndodhin vrasjet, burri që e vret gruan ndodh vrasje ose në afekt ose e paramenduar. Në shoqërinë tonë dhuna ka filluar të bëhet normalitet, në momentin që dhuna bëhet normalitet në një shoqëri atëherë e ardhmja është jashtëzakonisht e zymtë”, u shpreh Brajshori.
Ndërkaq, Vebi Mujku u shprehu ngushëllime familjarëve të të dy familjeve.
Ai tha se dy familjet janë me të vërtetë në gjendje shumë të rëndë teksa shtoi se organizata të cilës i përket ai ka punuar shumë vite me këto raste.
“I kemi diku 2000-2500 raste të dhunës në familje të cilat paraqiten sepse kemi edhe shumë raste të cilat ende nuk paraqiten. Unë më shumë kisha pas dëshirë të ndalem te pjesa çka tutje, sepse ne duhet të mendojmë që kemi një person i cili nuk është më në këtë botë, një person i cili është në vuajtje të dënimit dhe dy fëmijë të cilët janë të moshës shumë të re, pesë vjeç dhe shtatë vjeç, të cilët gjenden në Kosovë, dhe duhet të mendojmë të gjithë së bashku se si të bëjmë një zgjedhje sa më të mirë dhe sa ma profesionale për këta fëmijë”, deklaroi Mujku.
Blenda Asllani tha se rasti i vrasjes së Liridonës është një rast i femicidit me të cilin shoqëria jonë nuk është njohur më herët.
“Organizata ‘Qika’ është tepër e shqetësuar me rastin e fundit ashtu siç është edhe krejt shoqëria jonë për shkak se kjo do të mbetet një plagë e madhe në ndërgjegjen tonë kolektive. Në bazë të data-bazës që ‘Qika’ e ka për raportimin të rasteve të dhunës me bazë gjinore në policinë e Republikës së Kosovës prej datës 1 nëntor e deri në fund të nëntorit i kemi pas 119 raste të raportuara në Policinë e Kosovës. Mendoj që kjo çka ka ndodh është momenti i fundit që na si shoqëri me reflektu lidhur me sigurinë e grave në Kosovë sepse mendoj që nëse kjo nuk trajtohet me urgjencë ka me vazhdu me marr jetë e me prodhu dhunë sistematike e strukturore”, theksoi Blenda Asllani nga organizata ‘Qika’.