Avokati Besnik Berisha, ka folur mbi krimin makabër që ndodhi të dielën e 29 nëntorit në periferi të Prishtinës ku mbeti e vrarë Liridona Ademaj, krim këtë që dyshohet se e porositi bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ai tha se në mendjen e Naim Murselit dyshohet se në muajt e fundit ka qarkulluar një plan për t’ia marrë jetën Liridona Ademajt, e që për pikënisje s’e kishte ekzekutimin me revole.
“Plan i cili nuk e ka pasur si pikënisje të parë ekzekutimin me revole, por si plan i parë ka qenë një aksidentim. Dyshohet dhe ka rrëfime nga persona që e kanë pranuar ekzekutimin e zonjës Ademaj se plani paraprak ka qenë që të mos ekzekutohet me plumb por të ekzekutohej në këtë mënyrë duke inskenuar një aksident trafiku”.
“Meqë kjo s’ka qenë pjesë e kombinimit, pas një darke familjare, duket që në vendin e fundit ku është qerasur për herë të fundit zonja Ademaj ka qenë edhe vrasësi i saj dhe gjatë rrugës për në shtëpinë e tyre, rezulton se në emër të një grabitje të inskenuar është privuar nga jeta”, tha Berisha në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, Berisha tha se personat e involvuar në krim “kanë harruar se dikush do të vijë dhe t’i gjurmojë nga momenti kur kanë dalë atje”.
“Hetuesit më elitarët që i kemi në rajonin e Prishtinës e kanë marrë trajtimin nga atje dhe atje e kanë vërejtur që ka një person “të afërt” me familjen dhe ka një person që në bazë të hartografive ka mbajtur kontakte para dhe pas krimit me tani të dyshuarin, Naim Murselin”, tha ai