Kapet me mbi 50 qese me narkotikë, bie në pranga 19-vjeçari në Pejë

Kapet me mbi 50 qese me narkotikë, bie në pranga 19-vjeçari në Pejë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në qytetin e Pejës, ku një njësi policore ka kapur në flagrancë një person me disa qese me narkotikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 19-vjeçari ka deklaruar se në shtëpinë e tij ka edhe një sasi tjetër të drogës, me ç’rast Policia ka kryer bastisje dhe ka gjetur e sekuestruar mbi 40 qese me narkotikë.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Related Articles