Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, e ka parë si opsion rikthimin e dënimit me vdekje në legjislacionin e Republikës së Kosovës, me qëllim të frenimit të rasteve sikurse ai i vrasjes së Liridona Ademajt.
Dugolli në një prononcim për Euronews Albania ka thënë se dënimet me ligjet aktuale janë të buta dhe se propozim i tij ka qenë rikthimi i dënimit me vdekje.
“U vra një grua mizorisht, nënë e dy fëmijëve, pa asnjë faj, pa asnjë të drejtë të dikuj që të privojë jetën e një gruaje. Unë mendoj që dënimet për vepra të tilla të rënda kriminale janë të buta dhe insistoj që ashpërsimi i dënimeve të jetë në fokus të ndryshimeve legjislative që do të duhej të ndodhnin në Republikën e Kosovës. Shto këtu që edhe në këtë plan legjislativ me këto parashikimet legjislative për dënimet që janë, drejtësia s’i shqipton thuajse asnjëherë ato maksimalet. Unë kam propozu, edhe pse është e vështirë të realizohet për shkak të problematikës që ka kjo iniciativë, kthimin e dënimit me vdekje, për shkak të përafrimit të legjislacionit tonë me BE-së”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se nevojitet rigorozitet më i madh kur vie në shprehje krimi i natyrës së këtillë sikurse rasti i vrasjes së Liridona Ademajt.
“Megjithatë, nëse do të vijë në shprehje një iniciativë e tillë, unë si deputet do ta votoja rikthimin e dënimit me vdekje për ata që vërtetohet se kryejnë këso lloj veprash të rënda. Jemi dëshmitarë se në shumicën e vendeve ka ekzistuar dënimi me vdekje si masë për të parandaluar veprime të tilla të rënda. Unë e kuptoj se tani jemi në këto momentet kur Kosova po bën përpjekje që të ecë përpara drejt përmbushjes së atyre kushteve për t’u bërë pjesë e BE-së, mirëpo edhe diçka e di se, këto veprat e rënda kriminale do të duhej që disi t’i frenonim dhe të ishim shumë më rigoroz sa i përket dënimit”, tha tutje Dugolli.
Kjo është hera e parë që një deputet përmend ose propozon rikthimin e dënimit me vdekje në legjislacionin e Kosovës.