Zënkat e mosmarrëveshjet mes fqinjëve në qytete e fshatra të ndryshme në vendin tonë janë goxha të shpeshta. Konflikte të tilla jo rrallëherë eskalojnë në të shara, kërcënime, sulme fizike e incidente të tjera, për çka nevojitet intervenimi i Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në fshatin Zhur të Prizrenit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në këtë fshat është arrestuar një 47-vjeçar, i cili po dyshohet se për motive akoma të panjohura, i kishte djegur ekskavatorin një bashkëfshatari.
Sinjali mëson se i dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe bëhet fjalë për Tafil Badallin.
I dyshuari është prangosur dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.
Badalli po dyshohet se fillimisht e kishte paralajmëruar viktimën se do t’ia vë flakën ekskavatorit dhe më pas e kishte djegur.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia dhe ka bërë të ditur se hetimi është iniciuar në drejtim të veprës penale “Zjarrvënie”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se i kishte djegur ekskavatorin viktimës mashkull kosovar. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.