Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëve të zjarrit, të rinjtë kosovarë janë edhe meraklinj të mjeteve të mprehta, të cilat në shumë raste nuk hezitojnë t’i përdorin gjatë përleshjeve. E si pasojë e kësaj janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në fshatin Torinë të Lipjanit, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një veturë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një thikë e cila ishte në pronësi të shoferit të veturës.
24-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i riu të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautotrizuar të armës’.