I kërkuari nga FBI-ja, Dukagjin Nikollaj, i njohur si ‘Duka’, i përfshirë në tragjedinë e 4 gushtit në kafeterinë “Bon Vivant” në Prishtinë, akoma ndodhet në arrati. Duka – qe gati 5 muaj është i pakapshëm për shtetin, përkundër që u shpall në kërkim. Organet e rendit akoma nuk kanë arritur ta sigurojnë prezencën e tij.
Nga Prokuroria vetëm e kanë konfirmuar se Nikollaj ende nuk është kapur, por që “po punohet” për arrestimin e tij.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se personi për të cilin keni shprehur interesim akoma ndodhet në arrati.
Prokuroria në koordinim me policinë janë duke punuar për arrestimin dhe sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurën penale, ndërkaq rasti ndodhet në hetime.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.
‘Duka’ u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës një javë pas krimit që tronditi kryeqytetin dhe deri më sot ka arritur të shpëtojë nga prangat, duke qëndruar në arrati.
Dukagjin Nikollaj është i kërkuar edhe nga FBI, si i dyshuar për pjesëmarrje në bandën “Krasniqi Organization”.
#WantedWednesday Nikollaj: wanted for alleged distributing large amounts of marijuana in NY https://t.co/D6TSx6CfVs pic.twitter.com/38WKbenbTr— FBI New York (@NewYorkFBI) June 22, 2016
Çka dihet për rastin tragjik në Bon Vivant?
Një i vdekur dhe të paktën 20 të plagosur e lënduar, katër të arrestuar, një në arrati, ishte bilanci i tragjedisë së 4 gushtit në qendër të Prishtinës.
I vdekur mbeti Kastriot Ramadani, nga Komuna e Drenasit, derisa të dyshuarit që po hetohen janë Andi Pajaziti, i njohur si ‘Italiani, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të cilën e ka publikuar Sinjali muaj më parë, janë dhënë detaje se si ka ndodhur rasti tragjik, pasi Pajaziti u fut në lokal dhe u konfrontua me grupin e ‘Dukës’.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadanin dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri K.R. si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani.”.
Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht. Më pas, i ndjeri kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.
“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti, në atë moment i ndjeri K.R. e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas K.R. e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të K.R., kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri K.R. shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.
Prokuroria thekson se në “Bon Vivant” është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve, të premtën mbrëma.
“Të dëmtuarve: G.H., A.Z., A.A., dhe N.N., të cilët kanë pësuar lëndime trupore nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit, e po ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe të pandehurit Andi Pajaziti, Hisni Gecaj si dhe i ndjeri K.R. i cili nga plagët e marra ka vdekur në QKUK. Ndërsa nga xhamat e thyer dhe nga gotat e qelqit dhe gjatë ikjes janë lënduar edhe 14 vajza”, thekson prokuroria.
“Të pandehurit kanë shkaktuar rrezik të madh të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe më pas të pandehurit kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes dhe t’i fshehin armët”, ka konstatuar prokuroria.
Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Të pandehurit, Andi Pajaziti, Dukagjin Nikollaj dhe Hisni Gecaj, sipas prokurorisë kanë mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë.
Prokuroria ka theksuar se Andi Pajaziti dhe Dukagjin Nikollaj armët i kanë përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale, ndërsa i pandehuri Hisni Gecaj ka mbajtur në posedim të paautorizuar një thikë duke vepruar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.
Me këtë secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pretendon prokuroria.
Sipas prokurorisë, Dukagjin Nikollaj i cili ndodhet në arrati dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Gjithnjë, duke u mbështetur në pohimet e prokurorisë Hisni Gecaj është i dyshuar edhe për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” dhe Gëzim Zakuti për “pjesëmarrje në rrahje”.
Po ashtu prokuroria e ka theksuar edhe faktin se të pandehurit janë recidivistë të veprave penale.