Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila ka deklarur se Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, është duke bërë të kundërtën e asaj që kanë për qëllim komisionet e tilla.
Sipas saj, ky është komision absurd të cilit nuk i dihet synimi.
Ajo në një prononcim për EO theksoi se VV-ja nuk ka për qëllim që ta ndalojë punën e këtij Komisioni me mospjesëmarrje pasi sipas saj, kjo parti vetë e ka votuar formimin.
Ndërkaq, mungesën e deputetëve të VV-së në këtë Komision në dy mbledhjet e fundit e ka arsyetuar se mbledhjet po bëhen pa u marr parasysh punët e Komisioneve të tjera që janë caktuar më herët.
Shefja e deputetëve të VV-së ka thënë se formimi i këtij Komisioni është i kotë pasi për dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë filluar hetimet dhe janë arrestuar disa persona.
“Ne si Grup Parlamentar e kemi votuar formimin e Komisionit në seancë, e natyrisht edhe kemi thënë që përkundrejt që besojmë që është e kotë për faktin se këtu ka një proces hetimor. Komisionet Hetimore synimin e kanë që të nxjerrin në dritë diçka në raste se besojnë se ka bazë për hetimet penale të mëtutjeshme. Ky ka shkuar e kundërta, do të thotë ka shkuar qerrja para kalit që nuk mund të ndodh kështu. Qe tashmë vetëm kanë filluar hetimet, ka pasur edhe arrestime ndërsa është në dosje enorme materiale të Ministrisë, ato do t’i duhen edhe Komisionit Hetimor në të ardhmen e afërt, do të jenë në pronësi të Prokurorisë që nuk do ti ndaj me ta, për arsye se nuk ndan Prokuroria materiale të cilat i posedon ose të cilat i ka konfiskuar nga Ministria relevante për qëllim të hetimit penal”, tha ajo.