Koalicioni “Serbia kundër dhunës”, i cili konteston rezultatet e zgjedhjeve të Beogradit, organizoi sërish protestë të martën mbrëma para Komisionit Zgjedhor duke kërkuar anulimin e tyre, raporton “Danas”. Ky koalicion mbajti protestë edhe dje.
Zona përreth ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve është e rrethuar me një gardh metalik për të mos lejuar që protestuesit të afrohen në hyrje.
Koalicioni “Serbia kundër dhunës” ka vlerësuar se zgjedhjet në Beograd u vodhën nga partia e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Qytetarët e mbledhur para KQZ-së në Beograd po bërtasin vazhdimisht “hajdutë, hajdutë”.
Zgjedhjet në Serbi i fitoi bindshëm partia e Vuçiqit, SNS. Megjithatë, organizatat evropiane për vëzhgimin e zgjedhjeve kanë konstatuar parregullsi të shumta.