Palestinezët që ishin në mesin e qindra të arrestuarve nga ushtria izraelite në Gazën veriore, kanë folur hapur për atë që përjetuan.
Skenat e këtij arrestimi janë bërë virale kudo.
Ndërsa të arrestuarit në qytetin e shkatërruar të Beit Lahiya, kampin urban të refugjatëve të Jabaliya dhe lagjet e qytetit të Gazës, thonë se ata ishin lidhur, ndërsa u ishin mbyllur sytë dhe i kanë futur në pjesën e pasme të kamionëve.
Disa thonë se ata u dërguan në kamp në një vend të panjohur, pothuajse të zhveshur dhe me pak ujë.
“Ne trajtoheshim si bagëti, madje na shkruanin numra në duar”, tha Ibrahim Lubbad, një inxhinier kompjuteri 30-vjeçar i arrestuar në Beit Lahiya më 7 dhjetor me dhjetëra anëtarë të tjerë të familjes dhe u mbajt gjatë natës.
“Ne mund ta ndjenim urrejtjen e tyre”, shtoi ai.
“Krimi im i vetëm është që nuk kam para të mjaftueshme për të ikur në jug”, tha Abu Adnan al-Kahlout, një 45-vjeçar i papunë me diabet dhe presion të lartë të gjakut në Beit Lahiya.
“A mendoni se Hamasi janë ata që presin në shtëpitë e tyre që izraelitët të vijnë t’i gjejnë tani?” pyeti ai.
“Kemi qëndruar sepse nuk kemi të bëjmë me Hamasin”.
Raji Sourani, një avokat në Qendrën Palestineze për të Drejtat e Njeriut në Gaza u shpreh se “Ka kufoma në të gjithë vendin, të lënë jashtë për tre, katër javë, sepse askush nuk mund t’i arrijë për t’i varrosur para se t’i hanë qentë”.
Ai tha se pa dhjetëra trupa të vdekur ndërsa po udhëtonte nga qyteti i Gazës për në kufirin jugor me Egjiptin javën e kaluar.
Forcat izraelite po mbajnë në paraburgim një nga kolegët e tij, studiuesin e të drejtave të njeriut Ayman Lubbad, raporton Times of Israel.
Kthimi në shtëpi solli vështirësitë e veta. Ushtarët izraelitë i lëshuan të arrestuarit pas mesnate pa rrobat, telefonat ose kartat e tyre të identitetit pranë atij që dukej të ishte kufiri verior i Gazës me Izraelin, thonë të liruarit.
Ndërsa shtuan se ata u urdhëruan të ecnin nëpër një peizazh shkatërrimi, tanke të vendosura përgjatë rrugës dhe snajperë të vendosur në çati.
Në përgjigje të pyetjeve rreth keqtrajtimit të supozuar, ushtria izraelite thotë se të burgosurit “trajtoheshin sipas protokollit” dhe iu dhanë mjaftueshëm ushqim dhe ujë.
Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha se arrestimet u bënë në dy bastione të Hamasit në Gazën veriore dhe se të arrestuarve iu tha të zhvisheshin për t’u siguruar që të mos fshihnin eksplozivët.
Ai shtoi se burrat merren në pyetje dhe më pas u thuhet të vishen, dhe se në rastet kur kjo nuk ndodhte, ushtria do të sigurohej që të mos ndodh më.
“Ata që besohet se kanë lidhje me Hamasin merren për t’u marrë në pyetje dhe dhjetëra anëtarë të Hamasit janë arrestuar deri më tani. Të tjerët lirohen dhe u thuhet të shkojnë në jug, ku Izraeli u ka thënë njerëzve të kërkojnë strehim”, shtoi Hagari.
IDF-ja tha se të arrestuarit përfshinin “terroristë të Hamasit” dhe se të gjithë të arrestuarit u ndaluan për një arsye.