Senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, u bënë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse në Serbi që urgjentisht të shqyrtojnë nëse zgjedhjet duhet të përsëriten në rajone të caktuara, në mënyrë që të sigurojnë që rezultatet të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
Shaheen dhe Ricketts, anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme të Senatit, kanë thënë në një deklaratë se zgjedhjet në Serbi ishin një shans për vendin që “të tregojë angazhim të mëtejshëm ndaj demokracisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
Megjithatë, ne ishim të zhgënjyer që, sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Evropë, zgjedhjet ishin teknikisht të organizuara mirë, por kishte parregullsi të shumta që tregojnë se ato nuk ishin as të lira dhe as të drejta, kanë thënë senatorët.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për shkak të raportimeve se votuesit janë dërguar me autobusë në Serbi për të mbështetur partinë në pushtet, së bashku me raportimet për blerje votash dhe futje të paautorizuar të fletëve të votimit në kutitë e votimit. Populli i Serbisë meriton një demokraci të vërtetë dhe një proces zgjedhor që pasqyron plotësisht vullnetin e popullit”, kanë thënë Shaheen, senatore demokrate nga Nju Hempshir dhe kryetare e nënkomitetit të Senatit për Evropën dhe Ricketts, senator republikan nga Nebraska.
Ata gjithashtu theksuan se Serbia është në një udhëkryq dhe duhet të respektojë të gjitha standardet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në mënyrë që të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Ne i nxisim fuqishëm të gjitha institucionet relevante që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shqyrtuar nëse këto zgjedhje të fundit duhet të përsëriten në rajone të caktuara, për të siguruar që rezultatet të pasqyrojnë me saktësi dëshirat e qytetarëve. Qeveria e Serbisë gjithashtu duhet t’i adresojë mangësitë dhe të gjitha parregullsitë e përshkruara në raportin preliminar të OSBE-së dhe në raportin përfundimtar kur ai të jetë në dispozicion”, kanë përfunduar senatorët amerikanë.
Si Departamenti i Shtetit ashtu edhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje më parë Serbisë që të hetojë pretendimet për parregullsi zgjedhore nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Ekipi ndërkombëtar i vëzhgimit i përbërë nga anëtarë të Misionit të OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së ka konstatuar në një raport paraprak se procesi zgjedhor ishte i minuar me presion ndaj votuesve, blerje të votave, abuzim të burimeve publike në fushatë, pjesëmarrje të presidentit dhe raportim i njëanshëm i mediave në favor të partisë në pushtet.