Protestë para Kuvendit ku pritet të merret vendimi për arrestimin e Sali Berishës

Protestë para Kuvendit ku pritet të merret vendimi për arrestimin e Sali Berishës

Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbërritur në Kuvend për të marrë pjesë në seancën e fundit plenare për këtë sesion. Mësohet se ai ka shkuar në këmbë në Kuvend ndërsa është futur nga hyrja anësore e Kuvendit për të mos pasur përplasje me protestuesit të cilët janë mbledhur në mbështetje të Sali Berishës.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbërritur 1 orë e 30 minuta më herët në ambientet e parlamentit, ku në orën 10:00 pritet të mbahet seanca plenare, për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, raporton “Euronews Albania”.

Socialistët mbërritën më herët se zakonisht në parlament, për të parandaluar skenarin e seancës së kaluar, ku deputetët e PD bllokuan hyrjet e parlamentit dhe nuk lejuan futjen e tyre në sallë.

Pas deputetëve socialistë kanë mbërritur në sallë kolegët e opozitës, ku të përjashtuarit u përplasën me gardën, e cila nuk i lejoi të hynin në sallë.

Me të mbërritur në sallë, deputetët e opozitës bllokuan foltoren me karrige dhe u përplasën me gardën, e cila tentoi t’i ndalonte.

Sakaq në ambientet e jashtme të Kuvendit ka nisur grumbullimi i simpatizantëve të ish-kryeministrit Berisha, të cilët me pankarta ku shkruhet “O sot, o kurrë”, kundërshtojnë vendimin për ish-kryeministrin.

Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për të ashpërsuar masën e sigurisë.

Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, ‘arrest në shtëpi’ apo ‘arrest në burg’, i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’.

Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, ndërsa Enkelejd Alibeaj ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

PS dhe Enkelejd Alibeaj dorëzuan dy raporte në Kuvend për imunitetin e Berishës.

Alibeaj tha se vota për imunitetin do t’i japë mundësi Berishës të pastrojë figurën e tij nga akuzat për korrupsion.

Related Articles