Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, sidomos në trafik.
Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Prelloc Skenderaj, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë ka ndalur për kontroll një veturë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit, zyrtarët policorë i kanë gjetur shoferit një armë zjarri në brez, me karikator dhe fishekë.
Për pasojë, i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“