Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petet Stano, ka thënë se blloku evropian mirëpret vendimin e Qeverisë së Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas Stanos, ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe po ashtu dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur.
“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut që lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur. Po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor, që në fund përfitues do të jenë qytetarët e rajonit. Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [sticker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka thënë Stano përmes një përgjigje me shkrim.
Ndryshe, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka njoftuar se nga 1 janari 2024 veturat me targa RKS do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Serbisë.
Sipas Petkoviq, pranimi i targave po bëhet me qëllim që të lehtësohet lëvizja e individëve.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Kosovë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje apo shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.
Lidhur me vendimin, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, i cili tha se ky vendim “nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”.
Marrëveshja për njohjen e targave ishte arritur në Bruksel para disa vitesh, por që deri tani nuk ishte zbatuar nga pala serbe.