Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se formula që është duke e ndjekur është arsyeja se pse ky subjekt politik ka shënuar trendin më pozitiv të rritjes.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se kjo formulë është e bazuar në tri shtylla.
“Unë kam parë se bashku me bashkëpunëtore një model më ndryshe të organizimit në tri shtylla. E para është vendimmarrja politike që merret në kryesi dhe në këtë vendimmarrje politike kam bërë kombinimin e forcës lokale – pra të atyre njerëzve që janë zgjedhur me votë dhe mendimtarëve që janë pjesë e kryesisë”, është shprehur Abdixhiku.
“Përveç trupit të kryesisë, kemi bërë organizimin e kolegjiumit të degëve, tani sa i përket organizimit unë flas me kryetar degësh dhe praktika e vendosur vitin e fundit ka qenë që pas çdo mbledhjeje të Kryesisë të kemi mbledhje me kryetarë degësh në mënyrë që vendimet politike më pas të kalojnë”, ka shtuar ai.