Ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot ka bërë thirrje që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Guerot ka thënë se pret që propozimi i fundit nga BE-ja i Draftstatutit të zbatohet sa më shpejt nga të dyja vendet.
“Sa më shpejt të jetë e mundur (marrëveshja finale)! Është në interes të Kosovës. BE-ja ka bërë një propozim për një statut të Asociacionit. Presim që të zbatohet shpejt. Dy vendet, Kosova dhe Serbia, morën angazhime gjatë shkurtit/marsit të kaluar, veçanërisht ndaj BE-së“, ka deklaruar ai për Klan Kosovën.
Ai ka folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
“E gjithë puna që po bëjmë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është punë për të mirën e Kosovës, sepse në fakt vendi juaj ka shumë për të përfituar nga normalizimi i marrëdhënieve. Kjo nuk kalon pa tensione mes nesh dhe qeverisë së Kosovës ndonjëherë. Janë këto masa që BE-ja ka marrë ndaj Kosovës për shembull. Por ne po punojmë për një normalizim të marrëdhënieve, nga i cili do të përfitojë veçanërisht Kosova. Dhe pastaj mundohemi të forcojmë efikasitetin e shtetit kosovar. Ne po bëjmë një punë jo shumë të dukshme, por që jam i bindur se është e dobishme, për të forcuar administratën. Kemi bashkëpunim të mirë edhe me policinë në fusha të ndryshme (lufta kundër armëve të lehta, kontrolli i kufijve etj.), dhe jam shumë krenar për punën që bëjmë në fushën kulturore“, ka deklaruar ai ndër tjerash.