Qytetarët serbë mirëpresin pagesën e energjisë elektrike

Qytetarët serbë mirëpresin pagesën e energjisë elektrike

Pas 24 vitesh, qytetarët serbë në komunat veriore do të paguajnë shpenzimet e energjisë elektrike. Qytetarët e komunës së Mitrovicës së veriut kanë thënë se do t’i paguajnë faturimet që iu bëhen nga Janari. Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se vendimi për pagesën e energjisë në veri do të zbatohet, ndërkaq kryesuesi i kuvendit komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljanin, tha se tashmë komunat veriore janë në funksionalizim sipas ligjeve të Kosovës .

Që prej ditës së parë të këtij viti qytetarët e katër komunave veriore janë të barabartë me banorët e tjerë të Kosovës në fatura të energjisë elektrike.

Pasi për serbët e shqiptarët, në veri ka nisur të regjistrohet rryma e shpenzuar.

Vendimi u bë i ditur të hënën nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës KOSTT.

E i njëjti u mirëprit nga banorët e Mitrovicës Veriore.

“Ku nuk paguhet rryma? Ka ndonjë vend në botë ku nuk paguhet rryma? Gjithçka që shfrytëzohet , duhet të paguhet”.

“Ashtu siç na thonë duhet të bëjmë, mendoj se duhet të paguhet, nuk e di”.

Por dikush shprehet pesimist se një pagesë e tillë do bëhet.

“Edhe ata duhet me pagu sikur na, s’duhet me pagu veç na për ata na kena pagu edhe për ata, prej mbas luftës nuk është paguar, nuk besoj apet që paguajnë” .

Ndërsa Kryesuesi i kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin ka thënë se tashmë komunat veriore kanë nisur të punojnë sipas ligjeve të Kosovës.

“Është koha që me qenë në sistem të Republikës së Kosovës si të tjerat komunë me funksionalizu sepse edhe komunat varet nga pagesave. Edhe ne si kuvend i kemi ndarë draftet i kemi marrë tash vendimet për tarifat, porezit, taksat, dënimet që vec komunat po hyjnë në funksionalizim që është një përparim për komunat në pjesën veriore”, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljanin.

E analisti Nexhmedin Spahiu, mendon se vendimi për pagesën e energjisë elektrike në katër komunat veriore, do të zbatohet.

“Besoj se do të zbatohet përderisa institucionet e Kosovës tashmë mbajnë në kontroll veriun e Kosovës, atëherë nuk ka asnjë arsyeje që të mos zbatohet ligji. Dhe kjo kryesorja ka qenë vendosja e flamurit të Kosovës në Veri, ka nënkuptuar të gjitha këto ka nënkuptuar vendosjen e rendit dhe ligjit”, u shpreh Spahiu.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian ka njoftuar se kompania serbe, Elektrosever, kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me Kompaninë kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS).

Related Articles