Grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë për një dy shpërthime në Iran që vranë të paktën 84 persona gjatë ceremonisë përkujtimore për një ish-komandant iranian të vrarë katër vjet më parë në një sulm ajror të SHBA-së.
Në një deklaratë në Telegram, grupi tha se dy nga anëtarët e tij “aktivizuan jelekët e tyre shpërthyes” në një tubim që shënonte përvjetorin e vdekjes së Qasem Soleimani, një ish-komandant i Forcave elitare Quds.
Incidenti ka intensifikuar frikën e zgjerimit të konfliktit në rajon, ndërsa Izraeli vazhdon luftën e tij kundër organizatës terroriste Hamas të emëruar nga SHBA dhe BE në Rripin e Gazës dhe rebelët Huthi me bazë në Jemen, gjithashtu aleatë me Iranin, vazhdojnë sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare të Detit të Kuq.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA më 4 janar citoi kreun e Organizatës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Jafar Miadfar, të ketë rishikuar numrin e të vdekurve për herë të dytë që nga shpërthimet, në qytetin juglindor të Kermanit, nga 95 në 84 të vrarë dhe 284 të plagosur.
Autoritetet iraniane shpallën 4 janarin ditë zie për viktimat e këtyre dy shpërthimeve.
Më 4 janar, një ndihmës i presidentit të Iranit fajësoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për shpërthimet. Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë sugjerimet se Izraeli ose Uashingtoni qëndronin pas shpërthimeve.
Presidenti Ibrahim Raisi është zotuar se autorët e këtij “akti frikacak do të identifikohen së shpejti dhe do të ndëshkohen për aktin e tyre të urryer nga forcat e afta të sigurisë dhe zbatimit të ligjit”.