Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se Kosova rrezikon të futet në krizë energjetike.
Për këtë ai ka kritikuar Qeverinë që drejtohet nga Albin Kurti.
Azemi theksoi se Kosovës do t’i kushtojë 1.1 milion euro importi i energjisë elektrike, pasi blloku B1 ka rënë.
”Blloku B1 që aktualisht prodhon rreth 250 megavatë në orë energji elektrike, ka rënë mbrëmë nga sistemi pasi që aty janë identifikuar defekte në kaldajë. Gjatë kësaj kohe është paraparë të importohen deri në 600 megavatë në orë energji elektrike. Krejt ky import i kontraktuar vetëm për ditën e sotme, Kosovës i kushton rreth 1.1 milionë euro”.
“Kështu po fillon janari sa i përket energjisë për Kosovën. Vendi rrezikon të futet në krizë energjetike sepse kjo qeveri sikur edhe viteve të tjera, s’ka bërë asnjë investim në ngritjen e kapaciteteve të reja pë prodhimin e energjisë elektrike. Qytetarët përkundër që po paguajnë fatura me çmime të rritura dy herë në dy vitet e fundit, rrezikojnë të përballen edhe me reduktime”.
“Siç e dimë, Kosova e kishte mundësinë për ta ulur varësinë nga thëngjilli me projektin amerikan të gazit, por kjo qeveri e refuzoi me arsyetimin e kostos së lartë. Por, që nga atëherë, asnjë projekt me asnjë lloj kostoje, nuk u jetësua. Dhe, ja ku jemi, në vitin e ri, me problemet e vjetra. Kjo ka veç një arsye: Na qeverisin të paaftët. Ky është pushtet i territ. Në çdo kuptim”, ka shkruar Azemi në Facebook, të enjten.