Besian Xhixha dhe Enver Diva u arrestuan në Krujë nga forcat RENEA si bashkëpunëtorë në vrasjen e vëllezërve Haxhia në prill të 2020. Gjithcka është zbardhur pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla, i cili ka treguar rolin e anëtarëve të grupit.
Besian Xhixha nga fshati Larushk dhe Enver Diva nga Fushë Mamurrasi u vunë në përgjim për një kohë të gjatë nga SPAK. Këta dy persona janë kontaktuar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela për të vrarë vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia.
“ABC” mëson se në dosje, në një nga përgjimet Talo Çela dhe Nuredin Dumani shprehen se “Besmiri po fliste shumë, i ka hyrë vetja në qejf dhe nuk duhet të qarkullonte më”.
Atentati u mor përsipër nga Enver Diva ndërsa Xhixha u caktua të ndiqte vëllezërit. Plani dështoi pasi Diva u sëmurë me covid. Pas kësaj Nuredin Dumani dhe Talo Çela vendosën që të kryenin bashkë vrasjen e Besmir Haxhisë.
Ata u ndihmuan nga Klevis Alla i cili i informoi për lëvizjes e Besmirit, pa e ditur që në makinë ishte dhe vëllai tjetër. Prokuroria ka dyshime se konflikti ka nisur për sasisë e parave të grabitura në pistën e Rinasit, në 9 prill të 2019 ku mbeti i vrarë dhe Admir Murataj.
Hetuesit kanë prova të forta se paratë e vjedhura në Rinas, i mbanin të fshehura vëllezërit Haxhiaj. Anëtarët e grupit kanë hyrë në konflikt për shkak se nuk gjendej një pjesë e parave të grabitura.