Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë është duke zhvilluar një operacion, në disa lokacione në gjithë Kosovën për shkak të dyshimeve se disa zyrtarë dhe qytetarë janë përfshirë në kryerjen e veprave penale “Mashtrim në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.
Siç mëson Sinjali nga burimet brenda PTH në Prishtinë, Krimet ekonomike tashmë kanë zbarkuar në Hotelin ‘Lake Side’ në Vërmicë të Prizrenit.
Dyshohet se dy biznesmenë dhe disa zyrtarë tatimorë janë cak i organeve të rendit, nën dyshimet se janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Dëmi që konsiderohet që do t’i shkaktohej shtetit me këto veprime të tyre është vlerësuar të jetë 3 milionë euro.
Aksioni ka nisur mëngjesin e së martës dhe është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”.