Një përleshje fizike ka rrezikuar të përfundojë tragjikisht mbrëmë në Prizren. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur 57-vjeçari, Nazim Berisha, i cili u dërgua me urgjencë në spital. Berisha është dërguar me urgjencë në spital, ndërkohë që në vendin e ngjarjes është arrestuar i dyshuari, Mestan Skenderi, të cilit iu sekuestrua edhe arma që dyshohet se u përdor në rast.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj Skenderit të caktohet masa e ndalimit policor, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.
Si ndodhi e gjithë ngjarja?
I gjithë sherri mes palëve dyshohet të ketë ndodhur në lidhje me shitblerjen e një automjeti. Mestan Skenderi pak ditë më parë kishte lidhur marrëveshje me Nazim Berishën, për t’ia shitur veturën e tij.
Sebep për përleshjen fizike mes Skenderit dhe Berishës, ku u përfshinë edhe familjarët e tyre, u bë fakti që Berisha bashkë me djalin e tij e kishin shitur veturën në fjalë te një person i tretë pa ia kryer obligimin financiar.
Gjatë përleshjes, Mestan Skenderi dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të Nazim Berishës dhe të njëjtit i ka shkaktuar plagë në këmbë. Viktima u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren dhe gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar pas ndihmës mjekësore.
Në stacion policor janë shoqëruar edhe personat tjerë të përfshirë, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Sinjali mëson se Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e Mestan Skenderit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.