Gazmir Raci ka thënë se nuk pret zgjedhje të parakohshme në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit. Kjo për shkak të dialogut pasi që, sipas tij, janë disa afate të përcaktuara nga ndërmjetësit që duhet t’i jepet zgjidhje përfundimit të kësaj faze të dialogut.
Ai thotë se njohja de-fakto është thënë se është pjesë e planit franko-gjerman e për të cilën, tha ai, Serbia e ka për obligim që të japë përgjigje deri në fund të këtij muaji se a është e gatshme ta zbatojë këtë plan ose jo.
Në Rubikon, Raci tha se Kurti nuk e ka pranuar Asociacionin.
“Unë kam qenë i vetmi që kam deklaruar edhe në Rubikon se Kryeministri Kurti nuk e ka pranuar Asociacionin. Pse e kam thënë këtë? Sepse e kam bazuar në deklaratën e tij pas takimit të fundit që e pati në Bruksel me tre shefat e tre shteteve kryesore të BE-së, ku tha se unë e kam pranuar dokumentin por kam deponuar komentet e mia mbi atë dokument. Pastaj, po të ishte pranuar nga Kosova dhe Kurti, ai sot do të ishte zbatuar. Pastaj kemi deklaratën e Lajçakut ku thotë se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës, dhe kemi reagimin e kryeministrit ku prezanton një plan të ri për dialogun për këtë vit, ku thotë: ‘meqë qenka çështje e brendshme, unë do të dal me propozimin’. Dhe këtu unë pres një debat dhe angazhim më të shtuar ndërkombëtar për ta definuar edhe një herë se kush çka do të propozojë për draft-statutin”, tha Raci.