Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave Javelin.
Tani, kërkesa do të shkojë në Kongresin Amerikan, sipas procedurës.
Por. çka janë raketat Javelin dhe për çka shërbejnë?
FGM-148 Javelin është një sistem antitank portativ i prodhuar nga ushtria amerikane.
Raketa prodhohet që nga viti 1994 dhe çdo herë është përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.
Raketa Javelin u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse.
Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet.
Raketat Javelin rrallë huqin objektivin.
Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.
Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme – pjesa tjetër është përdorur për testime.