Për shitblerje të marihuanës ka rënë në prangat e Policisë një person në Mitrovicë.
Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Albin Zhigolli, 23-vjeçar.
Zhigolli u kap mbrëmë në flagrancë, pasi u ndal për kontroll nga një njësi policore në rrugën ‘Luan Haradinaj’.
Gjatë kontrollit trupor të dyshuarit i janë gjetur qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa Zhigolli është shoqëruar në stacion policor.
23-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga organet e hetuesisë dhe me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.
Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit, i është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 1.54 gram ndërsa në shtëpinë e tij i janë gjetur: 136.4 gram narkotikë marihuanë dhe një peshore digjitale. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.