Mbrëmë para mesnatës, një shpërthim i madh trazoi banorët në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e kësaj, mbetën të lënduar dy të rinjtë e nacionalitetit serb, Nikola Viçintijeviq 33-vjeçar dhe Dejan Vukomanoviq 37-vjeçar, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital për tretman mjekësor.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Veri, Veton Elshani, i tha Sinjalit se pas veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të cilët janë me interes për intervistim nga organet e hetuesisë.
Të njëjtit janë kërkuar në shtëpitë e tyre, por nuk janë hasur ende.
“Njësit policore relevante si dhe Prokurori i rastit ishin në vendin e ngjarjes dhe janë marr me rastin.
Njësiti i Hetimeve Rajonale Mitrovica Veri ka vazhduar punën sot me intensitet të shtuar dhe tashmë i ka identifikuar 2 persona të cilët janë persona me interes për intervistim.
Të njëjtit i kemi kërku edhe në shtëpit e tyre por nuk janë aty”, tha Elshani për Sinjalin.
Ndryshe, motivi dhe detajet që mund të kenë çuar drejt kësaj ngjarjeje të rëndë, nuk dihen ende, por sipas Policisë, nuk ka arsye të besohet që rasti ka lidhje me çështje etnike.
Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani ka thënë se sipas informacioneve të para, cak kanë qenë tre persona të cilët ishin duke u futur në veturë kur u sulmuan.
Njëri prej tyre, sipas Elshanit ka qenë i plagosur edhe në një rast tjetër, vitin e kaluar.
“Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike. Kjo çështje nuk është politike, mund të jetë për qërim hesapesh apo vepra të tjera. Jemi duke hetuar tashmë disa pista. Njëri nga të lënduarit ka qenë i plagosur në një rast tjetër vitin e kaluar, pra është i njohur.”, tha Elshani.
Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe shtatë vetura që gjendeshin aty pranë.
Edhe në të kaluarën, në Mitrovicë të Veriut ka pasur incidente me mjete plasëse.