Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale.
Gjatë ditës së sotme, Policia ka intervenuar në dy raste të ndara në qytetin e Gjilanit, pasi dy xhami ishin cak i hajnave.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në xhaminë në rrugën ‘Kodra e Dëshmorëve’, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda objektit dhe kanë vjedhur një arkë e cila ishte për mbledhjen e të hollave për bamirësi.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.
Po ashtu, në rastin tjetër që ka ndodhur në xhaminë e Zabelit në rrugën ‘Mustaf Kokaj’, hajnat kanë hapur me forcë kasafortën ku ndodheshin paratë që mblidheshin për qëllime bamirësie.
Nuk dihet shuma e parave të vjedhura, teksa në kuadër të veprimeve hetimore Policia ka marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarve.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për veprën penale ‘Vjedhje e rëndë’.