Lista Serbe e ka cilësuar si “dëbim të serbëve” nga zonat ku ata jetojnë në Kosovë, vendimin e Bankës Qendrore që vetëm valuta euro të përdoret për kryerjen e transaksioneve me para të gatshme.
Sipas partisë kryesore të serbëve në Kosovë – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ky vendim, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, do të pamundësojë që serbët të përdorin dinarin serb në Kosovë, duke thënë se kjo është e barasvlershme me dëbimin e tyre “nga këto zona pa përdorimin e armëve”.
“Pas të gjitha formave të dhunës institucionale që u përdorën kundër popullit serb nga regjimi autoritar i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe që nuk arriti t’i dëbojë të gjithë serbët nga Kosova, ai tani ka vendosur të ndalojë dinarin në Kosovë dhe kështu të kërcënojë drejtpërdrejt mbijetesën fizike të popullit serb”, u tha në reagimin e Listës Serbe.
BQK-ja miratoi një rregullore për operacionet për paratë e gatshme në të cilën u tha se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.