Shtetet baltike bëhen bashkë për të forcuar kufirin lindor të NATO-s

Shtetet baltike bëhen bashkë për të forcuar kufirin lindor të NATO-s

Shtetet baltike kanë nënshkruar një marrëveshje për të krijuar një linjë të përbashkët mbrojtjeje për të përforcuar kufirin lindor të NATO-s me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Marrëveshja e përbashkët e mbrojtjes u nënshkrua për të bllokuar agresionin rus në rajon, shkruan Euronews.

Letonia, Lituania dhe Estonia që në të kaluarën ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, tani janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe kanë mbështetur Ukrainën që kur Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Ministrat e Mbrojtjes të shteteve nënshkruan dokumentin në kryeqytetin e Letonisë, Riga, dhe të tre besojnë se kjo marrëveshje do të forcojë ndjeshëm kufijtë e tyre, si dhe do të pengojë dhe bllokojë çdo agresion të mundshëm ushtarak.

“Në dritën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Solidariteti i shteteve baltike duhet të jetë më i fortë se kurrë”, tha Arvydas Anusauskas, ministër i Mbrojtjes i Lituanisë.

Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur, u shpreh se lufta e Rusisë në Ukrainë ka treguar se pos pajisjeve dhe fuqisë ushtarake nevojiten edhe instalime fizike në kufi për mbrojtje.

“Lufta e Rusisë në Ukrainë ka treguar se përveç pajisjeve, municioneve dhe fuqisë punëtore, nevojiten edhe instalime fizike mbrojtëse në kufi për të mbrojtur Estoninë që në metër të parë”, tha Pevkur.

Ai vuri në dukje se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është parandalimi i një konflikti ushtarak në rajon.

“Ne po e bëjmë këtë përpjekje që populli i Estonisë të ndjehet i sigurt, por nëse do të shfaqej edhe rreziku më i vogël, do të ishim gati për zhvillime të ndryshme”, shtoi Pevkur.

Si pjesë e “Linjës së Mbrojtjes Baltike”, Estonia do të ndërtojë qindra bunkerë në kufirin e saj me Rusinë.

Koncepti i instalimeve mbrojtëse bazohet në vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Madrid, i cili theksoi se aleatët duhet të jenë të gatshëm për të mbrojtur territorin dhe duhet të zhvillohen plane të reja mbrojtëse rajonale.

Procesi i ndërtimit do të kryhet në bashkëpunim me komunitetet lokale dhe me marrëveshjen e pronarëve të tokave.

Çmimi i objektit të mbrojtjes estoneze është vlerësuar fillimisht në 60 milionë euro. Bunkeri i parë do të përfundojë në gjysmën e parë të këtij viti.

Related Articles