Një shofer i cili më pas ka rezultuar në gjendje të dehur, ka rrezikuar seriozisht veten dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën Ferizaj – Prishtinë, saktësisht në fshatin Prelez.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se shoferi fillimisht nuk i është bindur zyrtarëve policorë të cilët i dhanë urdhër të ndalej, gjë që i ka detyruar ata t’i vihen nga mbrapa për ta ndalur.
Sipas Policisë, shoferi ka vozitur deri në 200 km/h dhe më pas është arritur që të ndalet, ku pas kontrollit i njëjti ka rezultuar që ndodhet nën ndikim të alkoolit.
“Policia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, sot në ora 02:50 të mëngjesit, në rrugën magjistrale Ferizaj- Prishtinë, saktësisht në fshatin Prelez të Ferizajt ka ndaluar shoferin, i cili me veturën e tij fillimisht nuk është ndalur në shenjën stop të policit, ndërsa pas kontrollimit të dokumentacionit dhe testimit me alkooltest ka rezultuar me 0.80 %0. Në lidhje me këtë policia ndaj shoferit me inicialet R.K (M/K) I moshës 27 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 200 euro , 2 pikë negative dhe 6 muaj masë mbrojtëse, heqje e patentë shoferit, ndërsa është përjashtuar nga komunikacioni”, thuhet në njoftimin e Policisë.