Forcat izraelite kanë zhvilluar beteja me luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – afër spitalit kryesor në qytetin e dytë më të madh në Gazë. Mjekët thanë se qindra pacientë dhe mijëra të zhvendosur janë bllokuar si pasojë e luftimeve më 24 janar.
Izraeli ka urdhëruar banorët që të largohen nga qendra e Han Junisit, ku gjendet edhe spitali Nasser dhe dy ndërtesa më të vogla shëndetësore, përderisa Izraeli po shtyn përpara ofensivën tremujore kundër Hamasit.
Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara tha se kjo zonë, ku po zhvillohen luftimet, është shtëpi e 88.000 palestinezëve dhe aty gjenden edhe 425.000 persona të tjerë të zhvendosur nga luftimet gjetkë në Gazë.
Por, Mjekët pa Kufij, thanë se largimi i banorëve më nuk është opsion. Ky grup i ndihmës tha se stafi i tij është bllokuar brenda spitalit Nasser së bashku me afër 850 pacientë dhe mijëra të zhvendosur sepse rrugët përreth janë të paqasshme, apo shumë të rrezikshme. Ky spital është një prej dy spitaleve në jug të Gazës që ende po trajtojnë pacientët në gjendje të rëndë shëndetësore, thanë Mjekët pa Kufij. Ministria e Shëndetësisë në Gazë po ashtu tha se ndërtesa e spitalit është izoluar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të vazhdojë ofensivën deri në “fitoren e plotë” ndaj Hamasit, grupit që nisi luftën pas sulmeve të kryera më 7 tetor në jug të Izraelit, kur vrau 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj po luftojnë me radikalët palestinezë brenda qytetit pasi një ditë më parë e rrethuan atë. Ushtria tha se sulmet ajrore janë pjesë e operacioneve dhe po ashtu o shënjestrojnë luftëtarët e dyshuar në Gazën qendrore dhe veriore.