Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë i rëndësishëm për faktin se aty është një gjykatë ku ne mund t’i dërgojmë rastet sado që lëndët janë të vjetra.
“Çështja e tokave rreth Manastirit vërtetë të gjithë e kemi kontestuar dhe e shohim me dyshim vazhdimisht dhe është jashtëzakonisht e dhimbshme ajo që çfarë ka ndodhur me atë çështje, sepse ka ndodhur diçka që i është dhënë padrejtësisht edhe në kohën e Sllobodan Millosheviqit në mënyrë të dhunshme Kishës Serbe, po ashtu dhe me një vendim që edhe sot mund ta kontestojmë lirisht se pse ndodhi në këtë formë”, deklaroi Kuçi në emisionin Info Magazinë.
Tutje ai shtoi se është e njëjta gjë sikur edhe sot ta legalizojmë p.sh. kishën që është në oborrin e Universitetit të Prishtinës, që është ndërtuar në vitet e dhunës së Millosheviqit.
Mirëpo duke e pasur parasysh gjykatën që është në kuadër të kësaj organizate, atëherë ndoshta mund të gjendet një zgjidhje ku Kosova do ta aprovonte atë që t’i jepet manastirit, por që ta dërgojë në atë gjykatë në mënyrë që ta vë drejtësinë.
Kjo ndoshta do të ishte një formë e zgjidhjes, sepse përndryshe ne e dimë që ata e kanë përmendur me dhjetëra herë këtë çështje që është një prej kritereve, ndërsa Asociacioni ne e dimë që është kriter. Pra është duke u bërë një presion jashtëzakonisht i madh dhe nuk ka zgjidhje tjetër Kosova që t’i ikë kësaj forme”, tha studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.