Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, Klara, që të shtunën bëri homazhe në Prekaz, është ndalur nga Policia e Serbisë në pikëkalimin kufitar të Merdarit.
Kryetari i Partisë Republikane Serbe, ka njoftuar përmes një postimi në platformën X se Klara Sanduloviqit, nuk i është lejuar kthimi në Serbi.
“Regjimi diktatorial i Aleksandar Vuçiqit vazhdon ta persekutojë vajzën time, Klarën. Policia po e mban atë dhe zyrtarët e Partisë Republikane në pikëkalimin kufitar të Merdarit dhe nuk po i lejojnë të hyjnë në Serbi”, ka shkruar ai.
Gjatë ditës, Klara Sanduloviq bëri homazhe te varrezat e Jasharëve në Prekaz.
“Të respektojmë që të mos përsëritet më”, ishte mesazhi i shkruar që ajo la te varri i Blerina Jasharit.
Javë më parë, kryetari i Partisë Republikane Serbe u arrestua dhe ka thënë se është rrahur nga shërbimi sekret serb, vetëm për faktin që ka vizituar Prekazin.