Një qytetar i nacionalitetit serb në Leposaviq, ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës mesditën e sotme, pasi i njëjti ka hasur në kërcënime serioze për jetën e tij.
Sinjalizuesi nga Veriu njofton për Sinjalin se 27-vjeçari ka raportuar në organet e rendit se persona të panjohur kanë lënë mbishkrim me përmbajtje kërcënuese se është i vdekur, në xhamin e veturës së tij.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se viktima është Slagjan Miajloviq, anëtar i Partisë Demokratike Progresive të Kosovës, e cila udhëhiqet nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
I riu serb gjatë dëshmisë së tij dhënë organeve të hetuesisë, ka bërë me dije se përpos mbishkrimit kërcënues, ka pranuar edhe telefonata nga persona të panjohur të cilët e kanë kërcënuar se do ta vrasin.
Ai ka ngritur dyshimet se të gjitha këto kërcënime i vijnë nga persona të cilët punojnë për partinë Lista Serbe.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe që çojnë në identifikimin e të dyshuarve.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe ministrin Rashiq për të marrë një prononcim nga ai, mirëpo i njëjti s’është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.