Naim Murseli vazhdon edhe sot dëshminë në Prokurori

Naim Murseli vazhdon edhe sot dëshminë në Prokurori

Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, do ta vazhdojë edhe sot dëshminë para Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Lajmin e konfirmuar mbrojtësja e Murselit, avokatja Teuta Zhinipotoku.

“Po, sot vazhdon dëshmia e tij, nesër pastaj vazhdon Kushtrimi”, tha Zhinipotoku për “Betimi për Drejtësi”..

Murseli është dërguar në Prokurori, nën masa të larta sigurie. Ai kishte dëshmuar edhe më 24 janar.

Pas dëshmisë, avokatja e tij kishte thënë se Murseli e ka rrëfyer versionin e vetë të mbrojtjes dhe se “ mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale”.

“Sot para Prokurorisë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda, në cilësinë e të pandehurit është ndëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale Vrasje e Rendë në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 te KPRK-së. I pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2023, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares, L.A.

30-vjeçarja me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

Të tre këta janë arrestuar ditën kur u varros Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

Related Articles