Jeton Zylfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratës së Peter Stanos, zëdhënësit të BE-së për mbylljen e komunave paralele dhe OJQ-së.
Zylfaj iu drejtua Stanos, me anë të një shkrimi në platformën X, duke i thënë: “le të mos ngatërrojmë as periudhën në të cilën jetojmë, as se për çfarë është dialogu në Bruksel, Peter”.
“Institucionet e drejtuara nga serbët ia mbathën me ushtrinë serbe në vitin 1999 pasi kryen spastrim etnik dhe gjenocid, qindra masakra dhe vranë mijëra civilë, duke përfshirë 1,133 fëmijë”.
Stano ka thënë se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut.
Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e BE-së.
Ndërkaq, një natë më parë në lidhje me këtë çështje reagoi edhe ShBA-ja, ku ambasadori Jeffrey Hovenier, tha se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.