Ditën e djeshme Policia shqiptare ka ndaluar disa anëtarë të një ekipi artistësh nga Kosova, nën dyshimin se ishin trafikantë të lëndëve plasëse (tritoli).
Ata erdhën në Shqipëri nga aeroporti ‘Nënë Tereza’ në datën 4, pas dy interpretimeve të shfaqjes “The Handke Project” “Teatro di Rifredi”, që është një prej skenave të “Teatro della Pergola” në Firence më 2 dhe 3 shkurt.
Ata u ndaluan nga Policia teksa ishin rrugës për në Kosovë dhe janë mbajtur për rreth 10 orë.
Në njoftimin e Qendrës “Multimedia” për këtë rast tregohet se përfundimisht janë lënë të lirë në mëngjesin e së hënës, pasi u sqarua se ishin arrestuar e mbajtur gabimisht.
“Pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psikikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disaorëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektiv të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psikike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre”, shkruhet në njoftimin e lëshuar pas lirimit nga Policia ku kanë qëndruar rreth 10 orë.
Dramaturgu Jeton Neziraj, autor i shfaqjes e udhëheqës i Qendrës ‘Multimedia’ ka thënë se kjo që ka ndodhur me një pjese te ekipit të “The Handke Project” është e tmerrshme.
“Është pamja më e mjerë e një Shqipërie që po rrëshqet ngadalë në një shtet ku dhuna e brutaliteti bëhen ligj e mjet komunikimi. Fytyrat e policëve dhunues i mbajmë mend, dhe ata kanë emra, kërkojmë që ata të japin llogari para ligjit. Në anën tjetër, duam po ashtu t’i falënderojmë plot nga ata policë e zyrtar, qe edhe në ato çaste dramatike, na mbështesnin e na trajtonin me dinjitet. Edhe këta kanë emra e edhe këtyre do t’ua mbajmë mend fytyrat”, ka thënë ai.