Mbrëmë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, është mbajtur seancë për Kosovën, e cila u thirr nga presidenti serb, Alleksandar Vuçiq pas vendimit të Kosovës për ndalimin e dinarit serb për pagesa.
Aty pati shumë përplasje mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, ku ky i pari i quajti krejt pretendimit e këtij të fundit “gënjeshtra”.
Por, përballja e tyre nuk u pëlqye nga oponentët politikë në Kosovë.
Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku e Enver Hoxhaj, e edhe ish-kryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, e quajtën seancën e djeshme si të parën që bëri bashkë aleatët e Kosovës me Rusinë e Kinën.
Hoxhaj, i cili është edhe deputet i PDK-së në Kuvend, ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë që fuqitë perëndimore të pajtohen më Rusinë e Kinën, gjë të cilën sipas tij nuk e bëjnë për asnjë temë.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së fuqitë kryesore perëndimore si SHBA-ja, Britania dhe Franca, nuk pajtohen për asnjë temë ndërkombëtare me kundërshtarët e tyre lindorë, Rusinë dhe Kinën, por një politikë e brendshme dhe e jashtme e gabuar e Qeverisë Kurti ka bërë që të gjithë të pajtohen që të thirret mbledhja e Këshillit të Sigurimit e kërkuar nga Serbia, gjë që tregon se sa keq qëndron ndërkombëtarisht Republika e Kosovës si një vend pa drejtim dhe pa orientim”, u shpreh Hoxhaj.
Ndërkohë Çitaku në një status në Facebook ka kritikuar Qeverinë duke thënë se fjala e Kosovës në OKB ka rendësi nëse mbështetet nga aleatët.
“Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mbështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e ambasadores së ShBA-së. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KS të OKB për ne, aq më mirë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ndërkaq, edhe Avdullah Hoti i LDK-së theksoi se në këtë seancë u dëshmua mungesa e bashkërendimit të veprimeve të Kosovës me aleatët.
“Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën. U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit”, u shpreh deputeti i LDK-së.
Kjo qaje e Qeverisë Kurti, sipas Hotit, nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës.
“Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, deklaroi Hoti.
ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca e shtete tjera aleate të Kosovës, i kërkuan qeverisë që të shtyjë zbatimin e vendimit për ndalimin e dinarit.
Kurti, ndërkaq, tha se do të punojë me serbët e Kosovës dhe do të flasë me ta në serbisht në mënyrë që t’ua bëjë të qartë se ndalimi i dinarit nuk i ndal ndihmat e Serbisë për ta.