Debati që po zhvillohet në seancën e Kuvendit lidhur me Ligjin për Reformën në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka përplasur deputeten e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.
Haxhiu u kap fillimisht me deputeten Kica – Xhelili, të cilës i reagoi pasi e mori fjalën dhe e përmendi anarkinë, duke i thënë se “uroj që dikush nga Qeveria e Serbisë nuk të ka dëgju sepse ta kish dhënë një medalje, sepse Kosova është vend që i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.”.
Ajo madje u shpreh e lumtur që nuk dorëzohet, duke ironizuar dhe kërkuar edhe nga deputetët që të mos dorëzohen.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së LDK-së, e cila i tha Haxhiut se askush më shumë se LVV nuk e ka përmend emrin e presidentit të Serbisë, Vuçiq.
Kica-Xhelili e goditi po ashtu Haxhiun, duke i thënë se është shembull që nuk dorëzohet edhe në rastet kur ia huq.
“Albulena Haxhiu nuk ka person në këtë Kuvend që e ka përdorë më shumë emrin e Vuçiqit në krahasim me shqiptarët më shumë se sa Lëvizja Vetëvendosje. Është e vërtetë që ti je shembull që nuk dorëzohesh sepse edhe kur ia huq me krejt, ti nuk dorëzohesh dhe për këtë ta jap dorën ministre. Nuk kam parë në jetën time person që ia dëshmon huqjen dhe dështimin dhe vazhdon të mos dorëzohet. Por nëse për këtë lloj vlere kë shumë dëshirë, mjerë ne kush është ministër i Drejtësisë. Ta ndjesh një kënaqësi që nuk dorëzohesh karshi budallakisë, karshi dështimit. Ky është shembulli që t’i e jep.” – tha Kica Xhelili.