Në muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë. Lajmin e dha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Blinken shtoi se “fakti që pak javë më vonë do të përurohet baza ajrore e Kuçovës, është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe NATO ka ndaj Shqipërisë”.
Ai tha se “ky është një shembull tejet i fortë për partneritetin e mbrojtjes që ne gëzojmë me njëri-tjetrin”.
Sa i përket bazës detare, Blinken theksoi se “ne e kemi diskutuar dhe do të vazhdojmë ta diskutojmë nëpërmjet NATO-s dhe proceseve që NATO ka, sa i përket aseteve të tjera që janë të rëndësishme për Aleancën”.
“Përgjatë 15 viteve të saj në NATO, Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat e Shqipërisë ndihmojnë në ruajtjen e paqes në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO-s.
Muajin e ardhshëm, Shqipëria do të përurojë bazën e ajrore të NATO-s në Kuçovë”, tha Blinken. “Të 31 aleatët tanë, që së shpejti do të bëhen 32, sjellin përvoja të ndryshme, aftësi të ndryshme, gjeografi të ndryshme, por secili prej nesh ka të njëjtin angazhim të fortë, i cili është i hekurt, që të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sakrifikojnë, madje në vitin e fundit, çdo aleat ka rritur përqindjen në ndihmë të mbrojtjes, si 2% i GDP. Gjithashtu dhe për këtë arsye, aleanca jonë është më e fortë”, tha ai.