Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se është iniciuar rast i hetimit të vdekjes në rastin e katërvjeçares.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi, i cili tha se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
“Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, tha Domi.
Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Spitali i Gjakovës i cili tha se më 16 shkurt, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me pediatrin, ortopedin dhe kirurgun, fëmija është ndaluar për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë.
“Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar”, thuhet në reagimin e Spitalit të Gjakovës.