Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj kirurgut, Luan Mustafa, i cili më 16 janar të këtij viti dyshohet se kishte sulmuar kolegun e tij, kirurgun Arbër Morina, në Spitalin Rajonal në Gjilan.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Luan Mustafa kishte ushtruar dhunë fizike ndaj kirurgut, i cili mban pozitën ushtrues detyre i shefit të repartit të Kirurgjisë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se “i pandehuri kishte hyrë në zyrën e të dëmtuarit i revoltuar ndaj tij, pasi ky i fundit kishte paraqitur vërejtje ndaj të pandehurit me pretendimet për parregullsi të sjelljeve profesionale, dhe pasi i dëmtuari i shkruan këto vërejtje dhe i kërkohet nga Drejtoria e Spitalit të deklarohet me shkrim, i pandehuri ka shkuar në zyrën e të dëmtuarit dhe i mllefosur ka filluar t’i kërkoj llogari për vërejtjet e paraqitura.”
Sipas aktakuzës, i dëmtuari i ka kërkuar të dyshuarit që ta lirojë zyrën e tij, por i njëjti i ka hedhur dokumentet në tavolinë duke i thënë “merri këto dhe pastroj sytë”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se “viktima disa herë kishte kërkuar nga i akuzuari që ta liroj zyrën, por Mustafa e kishte mbyllur derën dhe e kishte goditur me grusht në fytyrë dhe nga buza e viktimës kishte filluar të rrjedhë gjak. Më pas i dëmtuari kishte tentuar ta largoi nga zyra e tij, por i akuzuari e kishte sulmuar prapë dhe e kishte shtrënguar me forcë në krahë dhe e kishte shtyrë kah muri tek dritarja e zyrës. Pas kësaj, i akuzuari, thuhet se, e ka kapur për fyti edhe duke dal nga zyra e viktimës e ka kërcënuar me fjalët “nuk përfundon me kaq, kam me ta nxjerr shpirtin”.”
Po ashtu sipas aktakuzës, “i pandehuri e ka mohuar se e ka sulmuar fizikisht viktimën, Arbër Morina. I njëjti e ka pranuar se ka qenë në zyrën e të dëmtuarit për shkak të vërejtjeve që i njëjti ia kishte bërë, por se sipas tij ndërmjet tyre ka pasur një debat verbal, por jo edhe rrahje.”, raporton Betimi për Drejtësi.
Mustafa po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Ndryshe, i dyshuari Luan Mustafa vitin e kaluar është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se bashkë me anesteziologun Halil Basha kanë kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”.
Ndaj tyre Gjykata Themelore në Gjilan kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.