Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban procesin e votimit për përzgjedhjen e dy anëtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban procesin e votimit për përzgjedhjen e dy anëtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur procesin për përzgjedhjen e dy anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çocaj i ka uruar suksese të gjithë anëtarëve që  janë të nominuar.

Gjyqtari Veli Kyryeziu nga Gjykata Themelore në Gjilan para votimit në një fjalë rasti, ka kërkuar mbështetjen dhe votën e gjyqtarëve duke thënë se është i gatshëm të angazhohet në drejtësinë e gjyqësorit.

“Me vullnet të lirë dhe kolegial kërkoj të më mbështetni”.

Edhe gjyqtari Veton Ademi nga Gjykata Themelore në Pejë tha se nëse zgjedhe anëtarë i KGJK-së tha se do të angazhohet në rritjen e transparencës së gjyqësorit.

“Sistemi gjyqësor ballafaqohet me probleme të shumta dhe do të bëjmë përpjekje që të rritet numri i gjyqtarëve dhe krijimi i kushteve më të mira”.

Të nominuar janë gjyqtarja Arjeta Sadiku nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Besnik Beslimaj nga Gjykata Themelore në Gjakovë, Fidam Hoxha nga Gjykata Themelore në Prizren, Mirlinda Bytyqi nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Veli Kryeziu nga Gjykata Themelore Gjilan dhe Veton Ademaj nga Gjykata Themelore në Pejë.

Zgjedhja e kandidatit për anëtarë të Këshillit bëhet me votim të fshehtë ndërsa varësisht nga numri i anëtarëve të cilët duhet zgjedhur, kandidati i cili e merr shumicën e votave, konsiderohet kandidat i zgjedhur.

Në rast të numrit të barabartë të votave, organizohet votimi i dytë në mes të kandidateve me më se shumti vota. Nëse edhe votimi i dytë përfundon me numër të barabartë të votave, atëherë përsëritet procesi zgjedhor nga fillimi.

Më 26 maj 2021, KGJK kishte zgjedhur anëtarët e saj, Albert Zogaj, Driton Muharremi dhe Radojka Trifunovic si anëtarë të Komisionit për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme për anëtarët e rinj të KGJK-së nga gjykatat themelore.

Mirëpo, më 18 qershor 2021, KGJK kishte ndryshuar vendimin e mëparshëm ashtu që në vend të anëtares Trifunovic, pjesë e Komisionit është bërë gjyqtarja Drita Rexhaj. Anëtar rezervë i këtij komisioni ishte zgjedhur gjyqtari Nenad Lazic.

Kandidatët e rinj do të zëvendësojnë në Këshill, kryesuesin Skender Çoçaj dhe anëtaren Anita Krasniqi-Prenaj të cilëve u skadon mandati në fillim të muajit korrik 2021. 

Related Articles