Rregullorja e BQK-së, që është kritikuar vazhdimisht nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, po kërkohet që diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Gjermania po insiston se “çështja e dinarit” duhet të jetë pjesë e dialogut dhe po kërkon nga Qeveria të marrë pjesë në takime.
Shqetësimet e Gjermanisë për rregulloren e BQK-së, janë adresuar të gjitha te Qeveria e Kosovës.
Kështu kanë deklaruar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe kanë thënë se këto nuk janë shqetësime vetëm të Gjermanisë, por edhe të shteteve të tjera të BE-së.
“Shqetësimet që Gjermania dhe një sërë miqsh dhe partnerësh të tjerë të Kosovës kanë lidhur me komunikimin në lidhje me zbatimin e direktivës së bankës qendrore janë demonstruar vazhdimisht dhe mjaftueshëm”.
Sipas ambasadës, Qeveria e Kosovës duhet të marrë pjesë në secilin takim që thirret për këtë çështje nga ndërmjetësit e BE-së.
“Nga këndvështrimi i Gjermanisë, qeveria e Kosovës duhet të marrë pjesë në çdo takim të dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja në të cilin është ftuar. Kjo është pjesë e angazhimit për dialog dhe vullnetit për t’iu afruar BE-së në tërësi. Kosova është përkushtuar për të dyja në disa raste dhe presim që kjo të mbetet kursi i zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane në Kosovë për TV Dukagjini.
Në takimin e 27 shkurtit në Bruksel të thirrur për çështjen e dinarit serb, Kosova u përfaqësua nga krerë të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkaq Serbia nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviq.
Lajçaku, duke folur për mospjesëmarrjen e Bislimit në këtë takim, tha se “qëllimisht” në ftesën dërguar palëve, e kishte lënë të hapur mundësinë që ato të zgjidhnin se kush do t’i përfaqësonte në takim.
Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt.