Vendimi i Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit në transaksionet me para të gatshme pothuajse u shndërrua në sensacionin e fillim-vitit në skenën gjeopolitike globale.
Rrëmuja e krijuar nga këmbëngulja e kryeministrit Albin Kurti për të injoruar thirrjet e forta të aleatëve më të mëdhenj të vendit – të cilët kërkuan koordinimin e duhur para zbatimit të rregullores – e gjeti kreun e ekzekutivit kosovar në një situatë aspak komode; përballjen me kritika në sytë dhe veshët e gjithë botës nga shumica e shteteve më të fuqishme perëndimore, përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Veprimi i Kurtit rreth çështjes së dinarit u kritikua së fundi edhe nga Dimitar Bechevin, profesor në Universitetin e Oksfordit dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor.
Bechevin argumentoi se vendimi i Kurtit për të ndaluar dinarit “po i shton rreziqet” në pjesën veriore të vendit.
“Për fat të keq, ajo që kemi parë për një vit apo një vit e gjysmë në Kosovë, është se si BE-ja ka trajtuar kriza të përsëritura. Në veri të Kosovës ka gjithmonë kriza, tensione, protesta… Kurti po i shton rreziqet tani me çështjen e valutës”, tha ai, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Në këtë kontekst, profesori i Oksfordit theksoi rëndësinë që Perëndimi të fokusohen në “fikjen e zjarreve” në vend të “një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Politikëbërësit evropianë, por edhe Shtetet e Bashkuara, që janë po ashtu të përfshira në Kosovë, duhet të fikin zjarre, në vend se të mendojnë për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Bechev.
Profesori i Oksfordit e sheh si tejet të rëndësishme që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre si kushti kryesor për integrimin në Bashkimin Evropian.
Bechevin nuk i kurseu kritikat as ndaj politikës së BE-së. Ndonëse theksoi nevojën që liderët e shteteve të Ballkanit të fokusohen më shumë në zbatimin e reformave, ai fajësoi bllokun për “mungesën e suksesit në procesin e zgjerimit”.
Kujtojmë se nga 1 shkurti hyri në fuqi një rregullore e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që për transaksionet me para të gatshme të përdoret vetëm valuta euro.
Lidhur me këtë vendim, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kërkuan shtyrjen e zbatimit të vendimit me argumentin se ishte i pakoordinuar dhe pa konsultim paraprak me komunitetin serb në Kosovë.