Një fabrikë e plastikës e cila ndodhet brenda Parkut të Biznesit në Drenas është përfshirë nga zjarri, sot paradite.
Zjarrfikësit tashmë kanë vënë nën kontroll zjarrin që kaploi këtë fabrikë dhe nuk ka pasur pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale. Ndonëse ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit.
Kryetari i njësisë së zjarrfikësve në Drenas, Afrim Xhelili ka konfirmuar se situata tashmë është nën kontroll në Parkun e Biznesit, por pati ankesa se nuk kanë pasur qase për ujë afër ngjarjes.
“Kemi ardhur në vendin e ngjarjes, kemi parë që kemi nevojë edhe për asistencë, ekipe të tjera që kemi angazhuar, edhe Prishtinën, Lipjanin, Skenderajn, Malisheva, Rahoveci, kanë ardhur të gjithë ekipet me na ndihmuar që të kemi nën kontroll situatën. Aktualisht e kemi nën kontroll, nuk ka mundësi të përhapet më zjarri, në shumë pika kemi shpërnda zjarrfikës, e kemi situatën nën kontroll”.
“Por është djegur, nuk mundemi me e ditë saktësisht kur mundet me u ndal zjarri. Deri më tani nuk kemi asnjë zjarrfikës të lënduar, edhe pse zjarri ishte në për masa të mëdha me temperaturat shumë të larta, por situata është nën kontroll. Kemi pasur pengesa me furnizim të ujit është dashur me shkua në lokacione të tjera në Drenas e Komoran për furnizim me ujë dhe kjo ishte shqetësuese shumë”, thotë ai.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se sot rreth orës 11:00, kanë pranuar informatën për një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit.
“Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Për detaje njoftoheni me kohë”, theksoi Ahmeti.