Drejtori ekzekutiv i Qendrës Evropiane për Çështje të Minoriteteve, Adrian Zeqiri, ka komentuar mbi rrezikun që mund të paraqitet në veri të vendit.
Tutje ai ka theksuar se në Mitrovicën Veriore nuk ekziston ndonjë rrezik afatmesëm për trazira për sa i përket popullatës atje.
“Raporti (i inteligjencës amerikane) i identifikon disa qendra apo vatra potenciale të konfliktit, ku mes tyre përmenden Bosnja dhe Kosova. Vlen të theksohet se aty thuhet ‘konflikte të lokalizuara të cilat mund të keqpërdoren nga liderë populist për qëllime të tyre elektorale’”, tha Zeqiri në “Info Magazine”.
Sipas Zeqirit, në veri ekziston rreziku që grupe të armatosura të futen prej Serbisë, gjë që sipas tij, paraqet rrezikun kryesor për sa i përket destabilizimit.
Tutje, Zeqiri tha se nëse shikohen deklaratat e sotme të emisarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shihet qartë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Quint-it nuk janë të kënaqura me nivelin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.