Një punëtor i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) është arrestuar pasi dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një kamarier në bufenë e RTK-së. Pas rastit, Televizioni ia ka shkëputur kontratën.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30, ndërsa viktimës i është thyer hunda.
Rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.
“Rr. Xhemajli Prishtina, Prishtinë / 13.03.2024 – 19:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull/k për shkak se pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull m/k duke i shkaktuar lëndime trupore (frakturë të hundës). Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, i cili tha se arsyeja ka qenë krejtësisht banale dhe sipas dëshmitarëve rasti ka qenë rrahje.
“Mundem me iu konfirmu që dje rreth orës 19:30 kam marrë informacionet që një punëtor- inxhiner në sistem ka sulmu në bufenë e televizionit, pra në deskun e televizionit një nga punëtorët aty, pra një nga kamarierët. Arsye si duket ka qenë krejtësisht banale. Ndërkaq, ata që kanë qenë aty dëshmitarë e konfirmojnë që ka qenë rrahje”, tha Ahmetxhekaj.
Ahmetxhekaj njoftoi se vendimi i RTK-së për këtë rast është shkëputja e kontratës ndaj punëtorit.
“Kjo është sjellje e patolerueshme për RTK-në dhe ne kemi një rregullore të brendshme për përgjegjësi materiale dhe disiplinore, e cila në mënyrë decidive që përcakton se kur ka 3 apo 4 shkelje të cilat klasifikohen të tilla, kjo është shkelje e rendë dhe si e tillë ka masën më të rëndë disiplinore, pra shkëputjen e kontratës. Pra, ky është vendimi dhe kaq”, tha drejtori i RTK-së.
Tutje, ai shtoi se kur ka ardhë Policia në vendin e ngjarjes, punëtori kishte ikur nga aty por që me vonë ishte arrestuar.
“Ka qenë edhe Policia edhe ambulanca. Po në atë kohë kolegu ynë ka ikë nga vendi i ngjarjes, por më vonë e kemi kuptu që megjithatë e kanë arrestu”, tha Ahmetxhekaj.