Çështja e dinarit, Sarrazin: Në Bruksel po bëhet punë e mirë

Çështja e dinarit, Sarrazin: Në Bruksel po bëhet punë e mirë

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, në një intervistë për RTK-në, ka theksuar rëndësinë e procesit të Berlinit. Ai ka folur edhe për çështjen e dinarit. Ndërsa nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e emisarit amerikan për zhgënjim jo vetëm të Uashingtonit, por edhe Parisit, Berlinit e Romes me Qeverinë e Kosovës.

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin, ka theksuar rëndësinë e procesit të Berlinit, duke shtuar se pret nga gjashtë vendet e rajonit si dhe nga Qeveria e Kosovës që të jenë konstruktive dhe produktive brenda procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit kërkon që të gjitha palët të jenë të angazhuara. Për Qevërinë e Kosovës bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe shpresoj që së bashku me Serbinë dhe Kosovën dhe të tjerët të arrijmë zhvillime pozitive në këtë format”, ka deklaruar ai në RTK.

Ai ka theksuar se për Gjermaninë, Kosova është partnere shumë e rëndësishme ekonomike.

“Ne duam që t’i bëjmë bashkë që të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor  që të kemi ekonominë, mobilitetin në rajon dhe që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtyre shteteve”, ka deklaruar Sarrazin.

Ai po ashtu ka folur edhe për çështjen e dinarit duke thënë se po bëhet një punë e mirë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne presim nga të dyja palët që të premten t’i dorëzojnë propozimet e tyre në Bruksel për zgjidhjen e çështjes së dinarit, që njerëzit të veprojnë në terren. Ne presim nga të dyja palët që të punojnë në zbatimin të Marrëveshjes së Ohrit, për t’i dhënë kredibilitet kësaj rruge drejtë zgjidhjeve brenda dialogut”, ka deklaruar Sarrazin për RTK.

Ai ka deklaruar se kur është fjala për dinarin, Qeveria e Kosovës ka thënë se vetëm po e zbaton ligjin.

Emisari gjerman nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e emisarit amerikan për zhgënjim jo vetëm të Uashingtonit, por edhe Parisit, Berlinit e Romes me Qeverinë e Kosovës.

Related Articles