Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer mëngjesin e sotëm një bastisje në një shtëpi në fshatin Gumnishtë e Epërme në Gjilan, pas informacioneve se një person posedon armë.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit në shtëpinë e 64-vjeçarit, janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri – përfshirë një AK-47 – dhe disa fishekë.
Armët ilegale janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“